Bota Shqiptare - Il Mondo Albanese
Gazeta e shqiptarėve nė Itali
Il periodico degli albanesi in Italia

Botim i Bota Shqiptare Viale Tito Livio 8, 00136 Roma Italia tel/fax +39 06 35453074• cel+39 339 3798796• email redaksia@botashqiptare.net

 

Ambasadori i Shqipërisë në Romë Pëllumb Xhufi kërkon të largohet nga Italia
para përfundimit të mandatit.
“Mision i ezauruar”. Por prapa deklaratës zyrtare të njërit prej ambasadorëve
më dinjitozë të diplomacisë sonë, ndoshta fshihen kulisa të tjera. Heshtje e plotë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, gojë të kyçura edhe në Via Asmara 5.

Kush është Pëllumb Xhufi

Pëllumb Xhufi është diplomuar në Universitetin e Romës La Sapienza në degën e Letrave Klasike në 1977 pasi kishte mbaruar në Tiranë shkollën e mesme të gjuhëve të huaja për latinisht dhe greqishte të vjetër. Në Itali diplomohet me një temë për historinë mesjetare shqiptare mbi Çamërinë.
Pas përfundimit nis punën si përkthyes i italishtes në RTSH për tre vjet, për t'iu kthyer më pas profesionit të mirëfilltë të Historianit në Institutin e Historisë pranë Akademisë së Shkencave. Nga viti 1981 në 1997 punon në sektorin e historisë së mesjetës, ku trajton marrëdhëniet e Shqipërisë mesjetare paraosmane me mbretërinë e Napolit, Venedikun dhe Perandorinë Bizantine.
Në vitin 1997 hyn në Ministrinë e Jashtme ku mbulon detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Rajonale dhe të zv.ministrit të jashtëm. Nga 30 nëntori 2001 është ambasador i Shqipërisë në Romë.
Pëllumb Xhufi është autor i një numri artikujsh e studimesh botuar brenda dhe jashtë vendit, autor i Historisë së Shqipërisë botuar në 1994 dhe bashkautor i Fjalorit Enciklopedik Shqiptar. Ka përkthyer një sërë librash mes të cilëve “ Historinë e popullit italian”, "Despotë të Epirit dhe Princër të Maqedonisë" si edhe është marrë me përgatitjen e botimit të veprës “Statutet e Shkodrës të shekullit 14- 15”.
Në “Bota shqiptare” ka botuar artikuj mbi historinë mesjetare shqiptare si dhe disa artikuj polemikë në debatin kulturor të hapur nga “Bota Shqiptare” mbi rolin e Nënë Terezës.

 

Ikën ambasadori Xhufi

 
 

Misioni im është ezauruar. Për arsye personale kërkoj të kthehem në atdhe." Përmbledhja lakonike e kërkesës për largim të ambasadorit të Shqipërisë në Romë vjen zyrtarisht në një deklaratë të 9 korrikut të lëshuar nga zyra e shtypit e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Lajmi që qarkullonte si i pakonfirmuar prej disa ditësh bëhet kështu zyrtar. Sh.T. Zoti Pëllumb Xhufi, ambasador i Shqipërisë në Romë që nga nëntori i vitit 2001 kërkon të largohet nga posti i tij para përfundimit natural të mandatit. E kotë çdo përpjekje për të mësuar më shumë mbi arsyet që e kanë sjellë një ndër ambasadorët më dinjitozë shqiptarë të ndërmarrë këtë veprim. "Gjithë ç'kam për të deklaruar, tani për tani, është në ato rreshta të deklaratës zyrtare" thotë Ambasadori Xhufi për "Bota shqiptare" .
Por janë pikërisht ato rreshta që ngjallin edhe më shumë dyshimet se, përtej heshtjes së respektueshme të ambasadorit tonë, marrëdhëniet e tij me shtetin apo qeverinë diku kanë ngecur dhe se kërkesën për largim shumëkush mund ta quajë, me plot gojën, dorëheqje. E dorëheqja e një ambasadori nuk është lajm i zakontë në diplomacinë shqiptare.
E megjithatë është trajtuar si lajmi më i rëndomtë që mund të ndodhte. Duke filluar që nga deklarat e mësipërme e Ministrisë së Punëve të Jashtme. E cila nuk erdhi natyrshëm, si një komunikim për shtypin dhe opinionin publik mbi kërkesën që qenka paraqitur (po aq natyrshëm) nga ana e ambasadorit Xhufi. U desh një artikull me shumë pikëpyetje në shtypin shqiptar që Ministria të deklaronte zyrtarisht se Xhufi paska paraqitur kërkesën për t'u larguar. Me sqarimin se "ka patur marrëdhënie të mira me të gjithë".
Artikulli i shfaqur në faqen e parë të së përditëshmes "Sot" e gjente arsyen e dorëheqjes së Xhufit tek një përplasje e këtij të fundit me vetë kreun e shtetit, Presidentin e Republikës Alfred Mojsiu. Por jo për çështje institucionale. Mojsiu, sipas artikullit, interesohej drejtpërdrejt për dy të afërm të tij, nënë e bir, punonjës të ambasadës, e para llogaritare, i dyti shofer. Konflikti me Mojsiun paskësh lindur, sipas gazetës "Sot" pikërisht nga ky interesim i tepruar i Mojsiut për të afërmit e tij. Edhe po të mos jetë hera e parë që një ambasador "e heq shoferi", do të ishte hera e parë që një ambasador jep dorëheqjen për probleme me shoferin. Shoferi i ambasadës, në fakt, është shndërruar gati në një togfjalësh prej posti të rëndësishëm e sidomos në Romë ku flitet se largimi i njërit prej ambasadorëve të parë pas rënies së komunizmit "u hoq nga shoferi". Por çështja e paraqitur nga "Sot", edhe pse përmban të vërteta mbi marrëdhëniet farefisnore të dy punonjësve të ambasadës, nuk bazohet në prova dhe mbetet një hamendësi po aq e përfillshme apo e papërfillshme si hamendësitë e tjera që qarkullojnë e që duan që Xhufi po ikën ngaqë ka problemet me presidentin Mojsiu, jo, me kryeministrin Nano, jo, me Ministrin e Jashtëm Islami. Në zhbirilimin e konfliktit përkatës sekush gjen pastaj marrëdhëniet nepotike, apo probleme politike brenda grupimeve të partisë socialiste, apo kulisat në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Është kjo e fundit, ama, e vetmja që ka marrë përsipër "sqarimin" pas artikullit të botuar në "Sot". Asnjë deklaratë e Presidencës edhe pse akuzohej drejtpërdrejt vetë kreu i shtetit. Madje edhe deklarata për shtyp e MPJ-së, botuar të nesërmen e artikullit në "Sot", mban titullin "Ambasadori Pëllumb Xhufi sqaron" edhe pse dy paragrafët e deklaratës-sqarim përmbajnë secili nga një lajm më vete. I pari është i Ministrisë së Punëve të Jashtme e cila njofton, më në fund, pas shumë ditësh, se "Ambasadori i RSH në Itali Pëllumb Xhufi ka paraqitur me shkrim kërkesën për transferimin e tij, ku gjykon se 'misioni i tij është ezauruar dhe për arsye personale kërkon të kthehet për të vazhduar punën në Atdhe'." I dyti, fjalë për fjalë "Lidhur me çdo motiv tjetër për të cilin pretendohet në një pjesë të shtypit shqiptar në korespondencën që zoti Xhufi ka me MPJ sqarohet se "Ka patur marrëdhënie institucionalisht korrekte, njerëzisht shumë të mira e deri miqësore me Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe me stafet e tyre" dhe se "të tilla, pra institucionalisht korrekte e njerëzisht miqësore, i ka patur gjithnjë marrëdhëniet me personelin e ambasadës në Romë". Thonjëzat e deklaratës për shtyp të MPJ-së tregojnë se deklarata qenka e Xhufit, edhe pse në paragraf, ndryshe nga titulli ku është Xhufi që "sqaron", paraqitet me një "sqarohet se" pa shpjeguar kush "e sqaron" që Xhufi paska patur marrëdhënie të mira me të gjithë këta në radhë "Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe Ministria e Jashtme". Dy janë persona, njëri është institucion, Ministria e Jashtme. Mungesa e informacioneve mund të bëjë që të kërkohet se mos fshihet edhe në nuancat e fjalëve të zgjedhura një ndër arsyet e largimit të ambasadorit Xhufi. Por kjo nuk do të bënte gjë tjetër veç do të shtonte hamendësitë, që duken të kota përballë heshtjes që ka zgjedhur i interesuari i i drejtpërdrejtë.
Këmbëngulja për të zbuluar sidoqoftë arsyet e dorëheqjes së një ambasadori nuk është thjesht një kureshtje e sëmurë apo kërkim skupi. Ambasada mbetet për shqiptarët në Itali përfaqësia më e lartë e shtetit të tyre dhe, pa u hequr asgjë nga puna e tyre ambasadorëve pararendës, ambasadori Xhufi mbetet ai më dinjitozi në këto 14 vitet e fundit, për përgatitjen e tij të lartë si historian, njohjen e thellë të kulturës dhe gjuhës italiane, përvojën e trashëguar nga puna e tij si zv-ministër i jashtëm, për sensin e lartë të detyrës dhe, në lidhje me komunitetin shqiptar, për hapjen për herë të parë të dyerve të ambasadës ndaj komunitetit shqiptar duke marrë pjesë nëpër veprimtari, duke u interesuar drejtpërdrejt për organizimin e shoqatave, e duke u angazhuar në debatet kulturore që kanë përfshirë komunitetin. Misionin ai tashmë e quan "të ezauruar", e ndoshta një ditë do të sqarojë edhe ç'do të thotë, i përmbushur apo i shteruar, i plotësuar apo i rraskapitur, çfarë e detyron përfaqësuesin e ambasadës më të madhe të Shqipërisë në botë të kërkojë të largohet para përfundimit të mandatit. Tani për tani, për ambientet diplomatike duket më e rëndësishme llotaria se kush do ta zëvendësojë, me listën e zakonshme të emrave të përfolur që shkojnë nga A-ja tek Zh-ja. Deri në fillim të shtatorit kur Ministria e Punëve të Jashtme do ta gjejë një emër të cilit ambasadori Xhufi do t’i dorëzojë poltronën e tij të rëndë në Via Asmara 5.
Bota shqiptare

DRITARE

Nga Mufid Bej Libohova te Pëllumb Xhufi - Cilët kanë qenë përfaqësuesit e shtetit shqiptar në Itali nga themelimi i tij deri në ditët e sotme

Të dërguar të posaçëm, ministra e ministra fuqiplotë, krykonsuj e konsuj, konsuj nderi e nënkonsuj. Për të mbërritur deri tek ambasadorët, shkalla më e lartë e përfaqësisë diplomatike, marrëdhëniet shqiptaro-italiane janë të mbushura me tituj përfaqësuesish që mbushnin po aq emra institucionesh si legata, konsullata, kryekonsullata, nënkosullata, konsullata nderi, zyra vizash. Është e vështirë të ndërtohet një listë e plotë dhe gjithëpërfshirëse e përfaqësuesve diplomatikë shiptarë në Itali që nga fillimet e shtetit shqiptar por nga një lexim i shpejtë i botimit informativ shtetëror "Shqipënija më 1937. Veprimi shtetnor gjatë njëzet e pesë vjetve të vetqeverimit" (Tiranë 1937) nxirren të dhëna interesante për rindërtim.
Veprimtaria përfaqësimore e Shqipërisë në Itali fillon me qeverinë e Princ Wied-it. I pari "ambasador" shqiptar në Itali është një bej i madh, Mufid Bej Libohova, ish deputet i parlamentit të Stambollit, mik i Ismail Qemalit e delegat i Gjirokastrës e Tepelenës në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë. Mufid Bej Libohova kishte marrë pjesë si Ministër i brendshëm e i Jashtëm në gjithë qeveritë e krijuara pas themelimit të shtetit shqiptar. Me shpërthimin e Luftës së dytë botërore qe ai vetë që u largua nga Italia duke mbyllur kështu edhe përfaqësinë diplomatike edhe pse qeveria italiane i ofroi mbajtjen e përfaqësisë me shpenzimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë.
Vitet e trazuara të luftës së parë botërore do të bënin që vetëm më 1921, një vit mbas Kongresit të Lushnjës, të rifillonte gjerësisht përfaqësia diplomatike edhe me Italinë. Viti 1921 shënon themelimin e së parës legatë shqiptare në Romë e bashkë me të dhe krijimi i një rrjeti të pabesueshëm konsullatash që do të zgjerohej edhe më tej pas ardhjes së Zogut në pushtet.
Në Bari hapet kryekonsullata e parë shqiptare në Itali më 1921, e pasuar me një kryekonsullatë nderi në Bolonjë. Kryekonsullatë nderi do të hapej edhe në Milano më 1928 e do të vepronte deri më 1935.
Konsullatat qenë gjithashtu të shumta dhe veçantia e tyre ishte se drejtoheshin në shumicën e rasteve nga "titullarë karriere" të Ministrisë së Jashtme. Ato gjendeshin në Trieste (1922), Napoli (1929), Torino (1929) ndërsa janë pa fund konsullatat e nderit, nga Palermo deri në Trieste.
Ndër Ministrat fuqiplotë të Shqipërisë në Romë, më 1925 është një tjetër bej i Libohovajve, Eqrem Beu, i cili do të pasohej më 1927 nga Xhemil Dino. Më 1937 Vendin e Ministrit Fuqiplotë me gradën e Klasit të Parë e zë Xhaverr Vila ndërsa Këshilltar Legate e Kryekonsull në Bari është sërish një Libohovë, Maliq Libohova.
Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia dhe përfshirjen në Mbretërinë e Italisë suprimohen edhe përfaqësitë diplomatike. Bisedimet e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike do të fillojnë më 1945, vështirësuar sidomos nga negociatat midis dy vendeve mbi riatdhesimin e robërve të luftës. Ishin plot 27.000 ushtarët italianë të mbetur në Shqipëri dhe riatdhesimi i tyre i cili filloi më 1946 vijoi deri në vitin 1952. Më 1947 Shqipëria dhe Italia nënshkruan Traktatin e Paqes. Duhet të kalonin edhe dy vjet të tjera për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Më 1949 Shqipëria hap legatën e saj të parë në Italinë e pasluftës e cila do të drejtohej nga Ministrat Fuqiplotë Zenel Hamiti (1949), Behar Shtylla (1952). Edip çuçi (1954) Koço Prifti (1958), Jordan Pani (1961). Ky i fundit Jordan Pani, do të jetë edhe ambasadori i parë i RPSH-së në Itali më 1965 pas shndërrimit të përfaqësisë së legatës në atë më të lartën të ambasadës. Do ta pasojnë si ambasadorë në Itali Ksenofon Nushi (1967), Piro Koçi (1972), Kujtim Myzyri (1977), Piro Bita (1980), Bashkim Dino (1982) dhe Dashnor Dervishi (1988).
Dashnor Dervishi ikën më 1992 duke marrë me vete edhe pllakën në derën e "Ambasadës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë". Ambasadori i ri i Republikës së Shqipërisë është Edmond Dule (1992) e do të pasohet nga Pandeli Pasko (1995), Leontiev çuçi (1998) dhe më 30 nëntor 2001 nga Pëllumb Xhufi.

 


Bota Shqiptare - Gazeta e shqiptarėve nė Itali

| home
Bota Shqiptare-Il Mondo Albanese ROMA. ISSN 1720-3678. Associato a USPI, Unione Stampa Periodica Italiana.
Për përdorimin e materialeve të këtij siti lutemi kontaktoni redaksia@botashqiptare.net